“Lindja është e kuqe” film i regjisorit kinez Wang Ping, një kombinim performance muzikore gjigande me rreth tremijë artistë nga e gjithë Kina, ishte një nga filmat e programit special të Festivalit të Filmit të Tiranës.
Filmi me anë të efekteve vizuale promovonte më së miri edhe për komunistët shqiptarë mitin e diktaturës së proletariatit, por filma të tjerë konkurrues në të katër kategoritë e Tirana Film Festival, sjellin të tjera histori të realizuara nga kineastë të vendeve të ndryshme.
Bujar Alimani: “Prurja e filmave të gjatë, sidomos nga pjesa e rajonit është një gjë gjithashtu shumë e rëndësishme. Kemi filma nga Siria, nga Greqia, nga Turqia ku produksionet Turqi, Gjermani, Spanjë, SHBA.”
Në fakt misioni i këtij festivali tashmë edhe i filmit të gjatë, është të rikthejë publikun në kinema, një shije disi e harruar për qytetarët shqiptarë.
Bujar Alimani: “Të parit e një filmi në një sallë kinemaje është jashtëzakonisht i ndryshëm nga të parit e një filmi në një ekran televiziv në shtëpitë tona. Domethënë të rikthehet dhe spektatorët shqiptar kanë nevojë të rikthehet sepse ne jemi të gjithë dëshmitar të atyre viteve që kemi kaluar ku jemi rritur me një kinema ku shkonim masivisht, kjo ka humbur. Festivalet janë e vetmja mënyrë që të sjellin njerëzit sepse prurjet që sjellin janë ato edhe njëherë që nuk kanë mundësi ti shikojnë në vende të tjera.”
Një nga arritjet e këtij festivali është edhe prurja në ditët e tij falas për publikun të filmave të kinemasë botërore, si “Inglourious Basterds i Quentin Tarantinos”, apo i tre filmave të mjeshtrit grek Teo Angalopulos, si dhe e prezantimit të filmit “Muaj Mjalti” i Goran Paskaljevic, një bashkëprodhim shqiptaro-serb, që më së shumti dëshmon se bashkëpunimet serioze me kinematë e huaja mund ta ngrenë në nivele edhe më të larta kinemanë shqiptare./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani