Superliga u kthye pas një ndërprerje thuajse 3-mujore për shkak të Covid-19. Nën masa sigurie ku përcaktohej një numër i kufizuar të pranishmish ku disa prej tyre mbanin maska dhe pa tifozë në stadium Tirana fitoi 3 – 1 me Bylisin në Ballsh.
Një ndeshje kjo që u vendos në dyshim pas zbulimit të një rasti me Covid-19 te mallakastriotët, por analizat e lojtarëve të tjerë që dolën negative nuk e penguan sfidën. Bardheblutë u shfaqën të vendosur për të triumfuar duke mbajtur të pandryshuar diferencën e pikëve me Kukësi i vendit të dytë, që mbetet 9. Ekipi i Orges Shehit fitoi me vështirësi 2 – 1 me Luftëtarin. Goli i Abazajt në kohën shtesë vendosi përballjen.
Skënderbeu mundi me rezultatin 2 – 1 Partizanin në kryeqytet. Golat e korçarëve në fundin e pjesës së parë ishin të rëndësishëm për t’u ngjitur në vendin e tretë. Vllaznia fitoi me rezultatin 3 – 1 me Flamurtarin e vendit të fundit, ndërsa Laçi – Teuta u mbyll me rezultatin 1 – 1. Disa nga ekipet përfituan nga shtimi i ndërrimeve, që për këtë pjesë të mbetur të sezonit janë 5.
Tv Klan