Tirana do të ndeshet me Teutën në stadiumin “Niko Dovana” në sfidën e javës së 26 në kampionat.

Bardheblutë në 4 takimet e fundit, kanë dy fitore dhe dy barazime, e do të kërkojnë që këtë moment pozitiv ta vazhdojnë.

Trajneri i kryeqytetasve Bledi Shkëmbi paralajmëroi ekipin, se kjo përballje nuk do të jetë e lehtë.

“Sfida dihet, është sfidë e vështirë kundër një skuadre shumë të vështirë, kundër një skuadre që ka nevojë për pikë ashtu sikurse ne dhe shpresoj që të bëjmë më të mirën dhe të marrim më të mirën, kemi punuar gjithë javës dhe shpresojmë që të na shpërblejë”, tha Blendi Shkëmbi.  

Shkëmbi bëri një analizë të “Djemve të Detit”, ekip që ai e njeh mirë.

“Teuta është një skuadër ku si në lojtar si në trajner më ka hapur dyert dhe kam krijuar karrierën time si futbollist por edhe si trajner. Teuta është një skuadër shumë agresive. Mendoj që ndeshjet e fundit pavarësisht rezultateve ka merituar më shumë pike sesa ka marrë. Unë shpresoj shumë dhe jam i bindur që do të bëjmë mirë duke parë skuadrën çdo ditë në stërvitje”, tha Shkëmbi.

Mes të dyja ekipeve është një ndeshje me rëndësi, pasi objektivi është mbijetesa.

Bardheblutë janë në kuotën e 26 pikave në vend të shtatë në renditje pas 25 javëve të luajtura, kurse durrsakët kanë 2 pikë më pak në vend të nëntë.

Durrsakët nuk e njohin fitoren në kampionat në shtatë sfidat e fundit, ku janë mposhtur pesë herë.

Klan News