Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kriminaliteti në kryeqytet për muajin Maj rezulton në një shifër të lartë, përsa i përket veprave penale kundër jetës dhe pronës. Gjatë një muaji janë vrarë tre shtetas, njëri prej tyre efektiv policie në detyrë. Gjithashtu ka pasur 11 tentativa vrasje që kanë përfunduar dhe në plagosje. Krime kundër personit në këtë muaj janë regjistruar 59.

Aksidentet automobilistike u kanë marrë jetën gjatë muajit Maj 7 personave, ndërsa të plagosur kanë mbetur 4 të tjerë. Në kryeqytet çdo ditë kryhen 4-5 grabitje me dhunë. Për muajin Maj janë denoncuar 128 vjedhje, kryesisht grabitje makinash, për të cilat policia ka arritur në informacionin se autorët bashkëpunojnë, duke dërguar mjetet e grabitura nga Tirana drejt Durrësit, Krujës dhe Elbasanit. Forca e zbulimit për këto raste është mjaft e ulët, në shifrën 38%.

Vetëm gjatë muajit Maj, 21 persona i kanë shpëtuar arrestimit të policisë duke u shpallur në kërkim për vepra penale të kryera në këtë kohë. Ndërsa efektivët e policisë së Tiranës kanë arrestuar në flagrancë 122 persona. Në pranga kanë rënë gjithashtu dhe 31 shtetas të shpallur më parë në kërkim nga policia e Tiranës apo dhe e rretheve të tjera të vendit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj