“Klasikja” e futbollit shqiptar, mes Tiranës dhe Vllaznisë, do të luhet në stadiumin e Lushnjës “Roza Haxhiu”.
Në lidhje me këtë, trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric, në konferencën për mediat, shfaqi pakënaqësi, duke e quajtur si “çmenduri” dhe tha se ka informacion se fusha nuk është në kushtet e duhura, për të pritur këtë ndeshje.
Sipas tij, ndeshjet ndaj Tiranës, kanë qenë gjithmonë të veçanta, ndonëse pranoi se këtë herë kushtet do të jenë të vështira.
“I uroj Vllaznisë një ndeshje të mirë dhe të suksesshme ndaj Tiranës. Ky është objektivi jonë. Kjo ishte e çmendur, sa i përket stadiumit. Deri të hënën në darkë nuk e dinim ku do të luanim. Ata bënë një marrëveshje për të luajtur në Lushnjë. Sipas informacioneve që kemi, fusha nuk është në gjendjen e duhur. Të jemi psikologjikisht të fortë. Duhet të kuptojmë se në këto kushte të jemi vetja jonë. Mos harrojmë se është një ndeshje Klasike. Ndeshjet ndaj Tiranës janë gjithmonë të veçanta. Ne duam të kemi çdo gjë në kontroll, por kushtet janë të vështira.
Është në pikëpyetje për Stojanovic. Do të shikojmë kush është gati për të luajtur nesër. E dimë që mund të shënojmë në çdo situatë. Është diçka pozitive. Kemi besim se mund të fitojmë ndeshjet. Jemi rritur si ekip. Duhet të mos pësojmë gola. Fokusi jonë është që të forcojmë mbrojtjen në ndeshjet e radhës.”, deklaroi Brdaric.
Ndeshja Tirana-Vllaznia, do të luhet në stadiumin “Roza Haxhiu” të mërkurën në orën 14:00. /tvklan.al