Dy vëllezër dhe motra e tyre u plagosën me armë zjarri në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit në një lokal në rrugën e Kavajës. Sipas policisë disa të rinj ishin në një festë së bashku me familjarët e tyre, teksa një 32-vjeçar, i është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme arma që mbante pa leje.
Tre të rinjtë të moshës 34 dhe 36-vjeç pasi u plagosën u dërguan menjëherë në ambientet e një spitali privat në kryeqytet.
Vajza e cila mbeti e plagosur mori dëmtime më shumë, dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy vëllezërit e saj pasi morën ndihmën e parë u larguan për në banesë.
Nga verifikimet e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja, policia zbuloi edhe identitetin e të riut i cili mbante armën pa leje dhe qëlloi në mënyrë të pavullnetshme me pistoletë.
Ai është 32-vjeçari Edison Elezaj, i cili u largua nga lokali pas ngjarjes. I riu kërkohet nga Policia e Tiranës për plagosje të rëndë me dashje, por blutë arrestuan dy miq të tij.
Në pranga ranë Arjan Dushaj dhe Dardan Zalli për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Sipas policisë, dy të arrestuarit i morën armën e zjarrit Edison Elezajt dhe më pas e fshehën me qëllim pengimin e zbulimit të autorit të ngjarjes. Arma e zjarrit u gjet dhe sekuestrua nga policia.
Klan News