Me aktivitetin në Superiore që ka ulur siparin për këtë vit, te Elbasani po mendojnë për fazën e dytë të kampionatit. Pas Ardit Hilës vjen largimi i një tjetër futbollisti me tepër peshë. Një sezon e gjysmë ka zgjatur eksperienca e Bruno Telushit me ngjyrat e Elbasanit.

Mesfushori ka arritur akordin për tu larguar nga kjo skuadër, me të cilët ka luajtur 7 ndeshje në këtë edicion futbollistik. Ka qenë klubi që përmes faqes zyrtare ka njoftuar ndërprerjen me konsensus me 34-vjeçarin, i cili për pjesën e dytë të sezonit i duhet të kërkojë një tjetër ekip.

Vlonjati vuajti shumë nga dëmtimet këtë edicion futbollistik, duke mos pasur mundësinë të jepte kontributin e tij për skuadrën dhe më të shumtën e kohës qëndroi në tribunë. 34-vjeçari u aktivizua në 326 minuta, teksa aludohet për një akord me Tiranën.

Për klubin e Elbasanit nis një tjetër detyrë edhe më e vështirë. Bëhet fjalë për afrimet, pasi largimet e Telushit dhe Hilës krijojnë hendek në repartet e mbrojtës dhe mesit të fushës dhe këto do të jenë dy synimet kryesore, për t’i zëvendësuar denjësisht.

Për momentin drejtuesit janë në fazë bisedimesh me disa lojtarë që plotësojnë karakteristikat për të qenë pjesë e verdhebluve dhe synimi është që t’ia bashkojnë në stërvitje sa më parë trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Kampionati nis shumë shpejt dhe verdheblutë nuk kanë shumë kohë për të humbur.

Klan News