Vllaznia dhe Egnatia nuk zhgënjyen, duke fituar ndeshjet e tyre respektive. Shkodranët triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Bylisit, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa e dyta ishte tjetër histori. Një autogol i Camara në minutën e 55-të, zhbllokoi rezultatin, për t’i dhënë avantazhin vendasve. Vetëm 4 minuta më vonë, Stojanovic dyfishoi shifrat.

Për të vulosur sfidën mendoi Kahrimanovic, i cili realizoi të tretin në minutën e 88-të. Me këtë triumf, Vllaznia mban vendin e dytë me 43 pikë, ndërsa Bylis renditet i shtati me 24 pikë.

Fitore të rëndësishme mori edhe Egnatia që mposhti me vështirësi Elbasanin, me rezultatin 2-1. Regi Lushkja zhbllokoi rezultatin në minutën e 33-të, ndërsa 4 minuta më parë Tsague shpërdoroi një penallti për Elbasanin, gjuajtja e të cilit u ndal nga Dajsinani.

Leo Melo realizoi të dytin për rrogozhinasit në minutën e 90-të, ndërsa dy minuta më vonë Tsague ngushtoi diferencat në 2-1, rezultati me të cilin u mbyll e gjithë ndeshja.

Kjo është fitorja e pestë radhazi në kampionat për Egnatian, që mban vendin e parë me 45 pikë, pas 24 javëve. Elbasani renditet në vendin e pestë me 29 pikë të grumbulluara.

/tvklan.al