Shqipëria merr mbështetjen e plotë të Suedisë ne procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Garancia i është dhënë kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Stockholm.
Kreu i parlamentit suedez, Per Usterberg, vlerësoi arritjen e Shqipërisë në përmbushjen e reformave dhe zhvillimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Duke iu referuar situatës politike në Shqipëri, Uesterberg tha, se parlamenti nuk mund të trajtojë çështje të gjykatave.
Per Uesterberg: “Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira, sikurse i vlerësuan dhe ndërkombëtarët. Kur njihen rezultatet, parlamenti fillon punën për të trajtuar çështjet e qytetarëve dhe nuk i takon parlamentit të trajtojë çështje që tashmë kanë marrë gjykimin nga drejtësia.”
Mbështetje për heqjen e vizave kryetarja e kuvendit mori dhe nga kryetari i komisionit të jashtëm të Parlamentit të Suedisë, Goran Lenmarker.
Goran Lennmarker: “Ne do t’ju mbështesim për të përshpejtuar procesin integrues. Gjatë vizitave të fundit në Shqipëri kam konstatuar zhvillimet e shpejta në një kohë rekord. Jemi në anën tuaj për heqjen e vizave dhe i qëndrojmë fort kësaj politike. Ne mendojmë se deputetët e Partisë Socialiste duhet të zënë vendet e tyre në parlament dhe të bëjnë opozitë konstruktive. Mendoj se qeveria ka ofruar që të hapë gjithçka, por jo ato që janë detyrë kushtetuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sistemi gjyqësor. Mendoj se Kushtetuta e vendit duhet respektuar.”
Gjatë vizitës në Suedi, kryeparlamentarja Shqiptare u prit dhe nga kryetarja e delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së Valburga Hapsburg, e cila theksoi se bojkoti nuk është kurrë zgjidhje për një problem./tvklan.al