Në pranga dy të rinj, sekuestrohet 3.2 kg lëndë narkotike
“Një tjetër rasti i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar është zbuluar nga policia e Tiranës.”
Një sasi prej 3.2 kg cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, u sekuestrua nga agjentët e antidrogës. Lënda narkotike ishte nisur nga shteti i Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me postë private drejt vendit tonë.
Si përgjegjës për këtë sasi lënde narkotike u vunë në pranga 2 të rinjtë, Jurgest Luzi dhe Skënder Vata. Ky i fundit dyshohet si personi që ka porositur drogën nga SHBA-ja. Pakoja me drogën brenda u tërhoq në postë, nga 24-vjeçari Luzi. Dërgesa në Shqipëri ishte nisur në emrin e një personi tjetër me origjinë nga qyteti i Korçës, person i cili po verifikohet nga Antidroga nëse rezulton i përfshirë në këtë skemë.
Kanabisi me përmbajtje të lartë THC apo e thënë ndryshe me cilësi të lartë, shitet kryesisht në vlerën e 50 Eurove për gram. Lënda narkotike, blihet me çmimin 10 mijë Dollarë kilogrami në Amerikë, dhe kur sillet në vendin tonë shitet në vlerën e rreth 50 mijë Eurove.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh, pasi 10 ditë më parë u sekuestrua nga policia edhe një tjetër sasi. 1.6 kg kanabis me përqindje të lartë THC erdhi në Shqipëri me postë, pasi ishte nisur nga shteti i Atlantës.
Sjellja e kanabisit me përmbajtje të lartë THC nga SHBA kohët e fundit është bërë fenomen shqetësues për autoritet, të cilët kanë shtuar kontrollet nëpër posta.
Klan News