“1.4% të papunë të dekurajuar“
Pavarësisht kërkesave të tregut për punonjës, sërish papunësia tek të rinjtë është rritur. 22% e të rinjve shqiptarë nga 15-29 vjeç rezultuan të papunë në tremujorin e fundit të 2023-it. Kjo është përqindja më e lartë e 5 viteve të fundit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkalla e papunësisë tek të rinjtë ka një rritje me 0.6%.
“Papunësia e të rinjve është një fenomen shqetësues që Shqipëria po përballet prej shumë vitesh, nuk po e mund dot sfidën për ta reduktuar atë nën 20%. Niveli është shumë më i lartë se në Ballkan ku është 13-14% dhe shumë e lartë se në BE, ku është 7-8%.”
Për këtë fenomen, eksperti i punësimit, Erion Muça rendit disa faktorë.
“Lidhen me informalitetin e punës, edhe pse mund të punojnë online ende nuk reflektojnë në Shqipëri si të punësuar, një pjesë e tyre preferojnë të mbeten të papunë sepse oferta për punë në Shqipëri nuk ëshë dinjitoze dhe në përputhje me formimin dhe investimin që kanë bërë.”
Megjithatë, ajo që vihet re është ulja e ndjeshme e të rinjve të papunë të dekurajuar, nga 8% në 1.4%.
Për uljen e papunësisë, por edhe frenimin e largimit të të rinjve, qeveria ka nisur vjet pilotimin e skemës së garancisë rinore në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Sipas kësaj skeme, brenda 4 muajve nga aplikimi në e-albania për punë, të rinjtë do të marrin një ofertë pune, apo formim profesional.
Sa i përket shkallës së përgjithshme të papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç në tremujorin e katërt të vitit 2023 rezulton të jetë 10.7%. Në krahasim me po të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një ulje të lehtë. Gjatë kësaj periudhe rënia më e madhe vjetore e punësimit vërehet në bujqësi, e pasuar nga sektori i industrisë.
Tv Klan