Policia ka vënë në pranga një 27 vjeçar në Divjakë pasi ai merrej me shitjen e kanabisit e kokainës.
“Siguronte kokainë dhe cannabis dhe i ndante në doza në banesë për t’i shitur në qytetin e Divjakës, arrestohet në flagrancë 27-vjeçari. Sekuestrohen qese me kokainë e cannabis në formë boçeje, dhjetra doza kokainë e cannabisi gati për shitje, pajisje për ndarjen e lëndëve narkotike në doza, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që siguronte, përgatise dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontaktet”.
Gjatë operacionit, u kap në flagrancë, me doza kokaine dhe cannabisi, me vete, shtetasi L. H., 27 vjeç, banues në fshatin Bishtçukas. Më tej, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis, që ishin siguruar dhe ndarë në doza, me qëllim shitjen. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 142 gramë Kokainë, 205 gramë Cannabis Sativa, dhjetra doza kokainë e kanabis, pajisje për përgatitjen e lëndëve narkotike në doza për shitje, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet”, thotë Policia për rastin, krahas pamjeve.
/tvklan.al