Njihet si “Trëndafili i erërave”, hetimi që dokumentoi trafikun e lulëzuar kriminal mes Shqipërisë dhe Katanias. Çështje kriminale me në qendër transportin e ngarkesave të mëdha me marijuanë. Peshkarexhat niseshin nga portet shqiptare me destinacion Sicilinë. Prokurori i çështjes Andrea Bonomo i cili drejtoi dhe hetimet e Guardia di Finanza ka kërkuar daljen para gjykatës së të akuzuarve. Në 31 maj do të jetë dhe seanca gjyqësore.

Në bankën e të akuzuarve janë gjithsej 16 persona, mes të cilëve dhe tre shqiptarët Moisi Habilaj, Fatmir Minaj dhe Maridian Salaj. Mediat italiane shkruajnë se kjo çështje ka shkaktuar trazira dhe në politikën shqiptare mbi aftësinë për të ndaluar trafikun ndërkombëtar të drogës nga ana e institucioneve shqiptare.

Portali “LiveSicilia – Katania” shkruan se ishin lidhjet farefisnore mes Moisi Habilajt, një nga krerët e bandës kriminale sipas hetuesve italianë dhe ish-ministrit shqiptar Saimir Tahiri që shkaktuan reagime të forta në vendin tonë. Më tej në shkrim thuhet se hetimet e policisë italiane në Katania krijuan shumë polemika në nivel politik në Shqipëri edhe pse disa vjet më parë, një ish-agjent shqiptar policie kishte hedhur akuza të rënda për sa i përket mbrojtjes që iu bëhet trafikantëve të drogës nga nëpunës të institucioneve të korruptuara. /

abcnews.al