15 persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës për trafikim të emigrantëve, nga vendet e Lindjes së Mesme. Siç duket dhe nga pamjet, një pjesë e tyre janë arrestuar në flagrancë. Tre prej të prangosurve janë egjiptianë dhe sirianë.
Bëhet fjalë për një skemë të mirë organizuar të kalimit të paligjshëm të kufirit. Emigrantët hynin në Shqipëri nga Greqia dhe transportoheshin më pas drejt kufijve verior të vendit, në Malin e Zi dhe Kosovë.
Ata ishin kryesisht nga Siria dhe Egjipti, ndërsa paguanin deri në 1500 Euro. Hetimet për këtë rast nisën 1 vit më parë, ndërsa gjatë kësaj periudhe në pranga kanë rënë edhe 5 persona të tjerë.
Drejtori i Policisë së Tiranës tha në një konferencë për mediat që katër të tjerë u shpallën në kërkim. Dy prej personave që konsiderohen si bashkëorganizator dhe vepronin në Shqipëri janë Mohammed Alfahel dhe Ahmed Kensova, që shfaqen në këto foto.
Gjatë operacionit të koduar “Damask” u sekuestruan 10 automjete, 20 mijë euro, 500 mijë Lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe dokumente identifikimi të shtetasve të huaj.
FJALA E DREJTUESIT TË DVP TIRANË, TONIN VOCAJ:
Jam sot këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente rezultatet e një procedimi penal të vitit 2023 dhe finalizimin e operacionit policor të koduar “DAMASK”.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafiqeve të paligjshme, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal nr. 5431, viti 2023.
Pas një hetimi 12-mujor, në kuadër të këtij procedimi është bërë i mundur individualizimi i përgjegjësisë penale për 24 subjekte të këtij procedimi penal. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për 19 shtetas.
Gjatë fazës finale të operacionit janë arrestuar 15 shtetas, nga të cilët 3 të huaj, me kombësi egjiptiane dhe siriane.
Gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Janë shpallur në kërkim 4 shtetas. Sipas informacioneve që disponojmë, 3 prej tyre janë jashtë vendit dhe po ndiqen procedurat urgjente për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre.
Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë sekusetruar 10 automjete, rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë.
Shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale iu kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shumë shtetasve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët hynin në RSH nga Greqia dhe tranzitoheshin në drejtim të kufijve veriorë të Shqipërisë, në Malin e Zi dhe në Kosovë.
Gjatë hetimit është dokumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm së shtetasit e huaj janë organizatorë dhe financues të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë përdorur veprime stimuluese si dhe teknika të posaçme hetimore me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Tv Klan