Të paktën 21 minatorë kanë humbur jetën në veri të Kinës, për shkak të një shembjeje në minierën ku po punonin. Ngjarja ndodhi në provincën Shanxi, ku 66 minatorë të tjerë u shpëtuan nga ekipet e emergjencës. Sipas agjencisë së lajmeve “Xinhua”, shkaqet e shembjes së pjesës së sipërme të minierës po hetohen.
Aksidentet në miniera janë të shpeshta në Kinë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar standardet e sigurisë. Tetorin e kaluar, 21 minatorë mbetën të vrarë kur një masiv shkëmbor u shemb në një minierë në provincën Shandong, duke bllokuar rrugën e daljes.
Sipas të dhënave të fundit të institucioneve kineze, në vitin 2017 në miniera u regjistruan 375 vdekje, 28 përqind më pak se në vitin parardhës. Në një deklaratë të bërë Janarin e kaluar, institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e minierave deklaroi se situata mbetet ende e rëndë, pavarësisht përmirësimit.
/abcnews.al