Një trup aktorësh shqiptaro-francez do të sjellë për herë të parë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës tragjedinë Antigona të dramaturgut francez Jean Anouilh. Pjesa do të vihet në skenë nga regjisori italian Yuri Dini, nën kujdesin e producentit Bashkim Hoxha.

Bashkim hoxha: “Zgjodhëm Antigonën pikërisht për tekstin e fortë që ka, sepse do të na duhej për ta lidhur me publikun se e gjitha kjo që është bërë në fund të fundit është një tentativë për të bërë diçka ndryshe nga teatri në krizë me të cilin ne jemi mësuar që të ambientohemi këto kohë kur është larguar publiku”.

Në rolet kryesore do të jenë aktorët e mirënjohur Ermela Teli, në rolin  Antigonës, Neritan Liçaj në rolin e Kreonit dhe aktorja franceze Valeria Desmart. Dialogu në këtë pjesë vjen i shoqëruar përmes muzikës së krijuar nga Ilirjan Pema.

Yuri Dini: “Elementët kryesore dhe karakteristike vendosen në anë të kundërta të asaj çka neve jemi mësuar të shikojmë në një teatër klasik”.

Antigona vjen si produksion i kompanisë private Bah me financim të bashkisë së Durrësit dhe ka si risi imazhin e plastikës teatrale./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi

Montazh: Ergis Hasanbelli