Dhuna në familje e çoi nënën 39-vjeçare Alma Arrazin, bashkë me 3 fëmijët e saj të mitur, në vetëflijim. Shpresat për të mbijetuar u shuan përfundimisht sot, kur polumbarët gjetën dhe dy trupat e pajetë, djalin 3 vjeç dhe nënën e tij. Ngjarja e rëndë është një dramë për shoqërinë tonë dhe është diskutuar së tepërmi për dinamikat e saj dhe për arsyet e mundshme të cilat e çuan Almën deri te veprimi fatal.

Në një intervistë për Klan News, aktivistja Edlira Çepani tha se të tilla raste nuk mund t’i gjykojmë dhe t’i trajtojmë si një telenovelë, por duhet që t’i denoncojmë, pavarësisht se sipas saj në mentalitetin e shoqërisë sonë është femra ajo e cila gjykohet në çdo veprim që ndërmerr. Aktivistja bën apel për ndërgjegjësim, rastet duhet të denoncohen edhe nëse ne nuk kemi lidhje të drejtpërdrejtë me situatën, secili duhet të bëjë detyrën e tij si qytetar.

“Janë të gjitha gjërat që duhet të duhet të sqarohen para se të fillojmë të gjykojmë për ngjarjen. Ajo ç’ka dimë ne tani është një situatë e cila është vërtetuar nga dëshmi të ndryshme dhe tabulatet telefonike që zonja në fjalë, viktima, ka patur një situatë dhune në familje dhe një dhunë psikologjike e cila ka ndodhur, dhe shumë afër momentit tragjik. Ajo që është e rëndësishme të kuptojmë është që ne nuk duhet t’i diskutojmë rastet njëri pas tjetrit sikur të ishin një telenovelë, edhe me detaje të panevojshme, edhe duke i gjykuar. Sidomos në Shqipëri, fatkeqësisht, ka një tendencë shumë të gabuar për të gjykuar viktimën, kur ajo është grua dhe të gjitha këto paragjykime, të gjitha këto vajtime që ne bëjmë pas tragjedisë, nuk janë të vlefshme, nuk kanë asnjë lloj vlere për raste të cilat mund të ishin parandaluar, thotë Çepani.

Edlira Çepani thotë se rastet mund të parandalohen nëse denoncohen pasi institucionet nuk mungojnë, por ajo që mungon është besimi i qytetarëve në to dhe mentaliteti që gjërat e familjes duhet të jenë të mbyllura brenda familjes.

“Dhe si mund të ishin parandaluar, mund të ishin parandaluar me një denoncim, mund të ishin parandaluar me më shumë mbështetje, qoftë nga familjarët, qoftë nga të afërmit, qoftë nga komshinjtë, njerëz të cilët janë në dijeni për situata të caktuara, mund të parandalohet duke bërë detyrën tonë qytetare edhe për njerëz që nuk i njohim duke informuar policinë, e cila më pas ndërmerr hapa të caktuara. Janë një sërë institucionesh të cilat e kanë për detyrë që të garantojnë mirëqenien dhe këto janë që nga njësitë e pushtetit vendor, kanë një koordinator për dhunën në familje në të 61 njësitë, ka një njësi të mbrojtjes së fëmijëve, policia në vetvete, strukturat  e veta. Pra nuk mungojnë strukturat, ajo që mungon nga njëra anë është besimi se këto institucione do të marrin masa dhe ndonjëherë edhe mungesa e mbështetjes nga shoqëria e këtyre grave dhe vajzave, të cilat ose kanë frikë të denoncojnë sepse ruajnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe të familjes, sepse shpesh herë kërcënohen se do të vriten nëse do të ngrenë zërin dhe nga ana tjetër një farë presioni i shoqërisë për të mos denoncuar ato gjëra që ndodhin në familje. Ne kemi këtë mentalitetin e gabuar që çfarëdo që ndodh në familje duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë. Të mos harrojmë që dhunë në familje është një vepër penale, pra është një krim. Kushdo që e kryen është një kriminel dhe kushdo që fsheh informacionin dhe ka një informacion mund të dënohet penalisht për fshehje të informacionit për një vepër penale. Kështu që nuk është një gjë që mbetet një çështje sociale, kjo është një gjë e cila duhet marrë seriozisht nga të gjithë ne, jo vetëm në raste ekstreme, por edhe në raste më të vogla ku ne i dimë situata të tilla,” shton ajo.

Shpesh herë ngjarje të tilla të rënda mbeten vetëm në kuadrin e një drame, ndaj sipas aktivistes, ne nuk mund të presim derisa të ndodhin trauma të tjera, pasi në një farë mënyre, të gjithë jemi viktima të situatave të tilla.

“Pra nuk mund të diskutojmë një çështje e cila diskutohet si traumë e momentit, zgjat 4-5 ditë, ne traumatizohemi si shoqëri pastaj presim deri sa të ndodhë tjetra. Këto janë çështje të cilat duhet të ngrenë alert të gjithë shoqërinë sepse nëse ne nuk jemi të sigurt në shtëpitë tona, pra me njerëz më të afërt, mendoni se si mund të jetë një shoqëri e cila është pre e kësaj dhune. Të gjithë jemi viktima në një farë mënyre të kësaj dhune dhe jemi të lidhur më njëri-tjetrin, prandaj është shumë e rëndësishme që edhe në institucionet arsimore të promovohen marrëdhëniet e shëndetshme, të informohen fëmijët për të drejtat e tyre, të informohen gratë dhe vajzat sidomos për të drejtat e tyre një, por edhe për faktin që nuk duhet të pranojnë asnjë lloj dhune. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për sa i përket parandalimit e cila është zgjidhja më e mirë për sa i përket gjithë këtyre problematikave,” përfundoi aktivistja./tvklan.al