Situata në veriun e Kosovës u tensionua sërish mbrëmë, kur dy persona morën plagë të lehta dhe një veturë u dogj. Kësaj radhe sulmuesit ishin shqiptarë, e viktimat serb.

Rasti ndodhi në fshatin Suodoll në veri të të Mitrovicës. Kjo duket të ketë qenë një hakmarrje për djegien që i bënë serbët disa lokaleve të shqiptarëve në lagjen e boshnjakëve.

Mëngjesin e së mërkurës situata dukej e qetë, por banorët shqiptarë të kësaj lagje shprehen se kanë frikë të jetojnë në shtëpitë e tyre.

Banori 1: “Kurrkush  nuk po interesohet për ne, a jemi gjallë a s’jemi, a po na rrah dikush a jo. A kemi njëfarë mbrojtje asgjë, me frikë rri në shtëpi mos vjen dhe gjuan diçka.”

Banori 2: “Qe 9 vite kanë kaluar preh luftës ende nuk e kemi shijuar të mirën e pavarësisë të Kosovës.”

Edhe pse fqinj, jetesa e përbashkët mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë pjesë të Kosovës duket e largët. Lumi Ibër është sinonim i ndarjes.

Prefekti i Mitrovicës Bajram Rexhepi, pranon vështirësitë me të cilat përballet qyteti, por shprehet se mekanizmat e sigurisë po tentojnë të vejnë rregull.

Bajram Rexhepi: “Ne kemi biseduar edhe me kryeministrin, zëvendës kryeministrin, ministrin e brendshëm dehe kanë pasur edhe një takim me ndërkombëtarët mbrëmë. ku ndër të tjera bashkë me EULEX-in duhet të krijohet hapësira. Policia e Kosovës është prezente dhe në pjesën veriore ku janë kryesisht të komunitetit serb, por ka edhe shqiptarë. Po në raste ku dhuna është e një niveli më të lartë, atëherë policia speciale mund ti qetësojë. Është e domosdoshme të jetë prezente dhe të jetë patrulla të përbashkëta nga të dy komunitetet, të krijohet besimi në atë mënyrë.”

Por a mund ta zgjidhin problemin  e Mitrovicës vetëm policët dhe ushtarët, duket se jo.

Leonard Kërquki: “Sot situata në qytetin e Mitrovicës ka qenë dukshëm më e qetë. Qeveria e Kosovës edhe komuniteti ndërkombëtar mbesin të përkushtuar për të vendosur rregull në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Por problemi i veriut të Kosovës nuk është thjesht ai i vendosjes së rregullit dhe ligjit, por i integrimit të komunitetit serb, i cili vazhdon të jetë faktor destabiliteti.”/tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki