Tre të rinjtë e akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit nga Durrësi, Saimir Balla, kanë dalë sot përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Elis Tefa, Olgert Dervishi dhe shoku i tyre 17-vjeçar kanë rrëfyer përpara togave të zeza mënyrën sesi  kryen krimin, duke pranuar në këtë mënyrë edhe autorësinë për ngjarjen. 

Dëshmia e 23-vjeçarit, Elis Tefa, ka qenë ajo që ka dhënë më shumë detaje rreth skenës së vrasjes.

Ai i ka mbetur besnik versionit fillestar ku ka rrëfyer se ka qëlluar mbi 25-vjeçarin, pas një sherri  banal.

Duke pranuar se është penduar për krimin e kryer, Elis Tefa, është shprehur para gjykatësve se nuk ka qenë koshient për veprimet që çuan deri në ekzekutimin e Ballës.

Ndaj tij, ai zbrazi plot një karikator pistolete, pesë prej të cilëve kapën gjoksin e viktimës.

“Nuk e mbaj mend si e qëllova Ballën, pasi gjithçka ndodhi teksa po ziheshim për një çështje pa rëndësi”, ka thënë vrasësi në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, por gjithsesi kjo pendesë nuk e ka bindur përfaqësuesin e akuzës, i cili ka kërkuar mbajtjen e tij dhe të dy bashkëpunëtoreve në burg, për një afat të pacaktuar që do t’i shërbejnë kryerjes së hetimit.

Pista kryesore e hetimit mësohet të jetë ajo e vrasjes me paramendim, pasi prokurori ka shfaqur dyshime të forta lidhur me dëshminë, për shkak se Elis Tefa nuk ka mundur të justifikoje faktin se përse kishte shkuar i armatosur për të zgjidhur konfliktin me 25-vjeçarin./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi