Presidenti amerikan Donald Trump nuk tërhiqet nga plani i tij për ndërtimin e murit me Meksikën, pavarësisht kundërshtimit të fortë të demokratëve. Në një intervistë për New York Times, shefi i Shtëpisë së Bardhë i konsideroi të kota bisedimet e kërkuara nga demokratët për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Unë do të vazhdoj të ndërtoj murin dhe do t’a çojmë deri në fund”.
Në intervistë paralajmëron se do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare, ç’ka do t’i mundësonte Presidentit marrjen e kompetencave shtesë për menaxhimin e fondeve për ngritjen e murit. Mosmarrëveshjet mes republikanëve dhe demokratëve çuan në mbylljen më të gjatë të qeverisë amerikane në histori, gjatë periudhës Dhjetor-Janar.
Trump ka paralajmëruar se nëse mosmarrëveshjet zgjasin, bllokimi i qeverisë do të rinisë më 15 Shkurt. Presidenti ka kërkuar 5.7 miliardë dollarë për murin që synon të pengojë dyndjen e emigrantëve ilegalë. Por demokratët thonë se muri shkel të drejtat e njeriut dhe nuk është efektiv.
Tv Klan