Ngurrimi për të nderuar figurën e një kundërshtari politik si John McCain, i cili ndërroi jetë të shtunën i ka hapur të tjera telashe me mediat, presidentit amerikan Donald Tramp.
Ai u detyrua të hënën të riurdhërojë uljen në gjysmë-shtizë të flamurit të Shtëpisë së Bardhë, pasi kritikave të ashpra në media se në mëngjesin e të njëjtës ditë flamuri ishte ngritur si në një ditë të zakonshme. Ndërsa në gjysmështizë kishte qëndruar vetëm të dielën.
Në dallim nga Shtëpia e Bardhë, flamuri mbi kupolën e kongresit ka qëndruar në gjysmë-shtizë gjatë gjithë kohës, në nderim të senatorit që ka qenë pjesë pa ndërprerje e Kongresit prej 35 vitesh.
Presidenti amerikan refuzoi në dy raste t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për McCainin. Ai qëndroi i heshtur kur u pyet pas përfundimit të telefonatës me presidentin e Meksikës.
Po ashtu edhe në fund të takimit dypalësh në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Kenias.
Në letrën e tij të lamtumirës, John McCain kishte kërkuar që Trump të mos ishte pjesë e funeralit të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur për çështje politike që shpesh herë kanë kaluar edhe në fyerje personale. Pavarësisht se shprehu nderimin për figurën e McCainit përmes Twitter-it, Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit që zhvillohet të dielën në Merilend. Në ceremoni pritet të mos jetë e pranishme as bashkëshortja Melani.
Tv Klan