Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti qëndrimin e tij se Kanali i Panamasë, një pikë e rëndësishme kalimi për tregtinë globale, duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara mes frikës për rritjen e pranisë së Kinës.

“Unë nuk mendoj se trupat amerikane  do të jenë të nevojshme në Panama. E dini, 70 për qind e tabelave në Kanalin e Panamasë janë të shkruara në gjuhën kineze. Kjo nuk është e drejtë. Ne humbëm 38,000 njerëz duke ndërtuar Kanalin e Panamasë. Ishte projekti më i shtrenjtë i ndërtuar ndonjëherë Dhe çfarë ndodh? Kina e zotëron atë krejt papritur? Nuk do të ndodhë. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne kemi shqetësime për sigurinë kombëtare”, tha Donald Trump.

Ky qëndrim i presidentit amerikan vjen pasi Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit paralajmëroi Presidentin e Panamasë Jose Raul Mulino se Uashingtoni do të “marrë masat e nevojshme” nëse Panama nuk merren menjëherë hapa për t’i dhënë fund asaj që Presidenti Donald Trump e sheh si ndikim dhe kontroll të Kinës mbi Panamanë.

Shtetet e Bashkuara e ndërtuan kanalin në vitin 1914 dhe e kishin atë nën kontroll deri në vitin 1977, kur ia dorëzuan Panamasë.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti panamez Jose Raul Mulino tha se kanali do të vazhdojë t’i përkasë vendit të tij. Traktati i Kanalit të Panamasë mbron neutralitetin ndërkombëtar të kësaj pike kalimi për transportin detar dhe u lejon Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë nëse kjo rrezikohet.

Klan News