Nëpërmjet një postimi në rrjetin socal të tij “Truth Social”, presidenti Donald Trump ka kërcënuar Vladimir Putinin, se nëse nuk e ndal luftën me Ukrainën, SHBA do të vendosë sanksione të reja. Trump shkruan se i ka marrëdhëniet e mira me Putin, por se kjo luftë qesharake duhet të marrë fund dhe se SHBA-të nuk kanë asgjë kundër popullit rus.

“Nëse së shpejti nuk ka marrëveshje për Ukrainën me Rusinë, unë nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse të vendos më shumë taksa, detyrime dhe sanksione për gjithçka që shitet nga Rusia në Shtetet e Bashkuara. Le ta mbarojmë këtë luftë, e cila nuk do të kishte filluar kurrë po të isha President! Ne mund ta bëjmë atë në mënyrën e lehtë, ose në mënyrën e vështirë – dhe mënyra e lehtë është gjithmonë më e mirë. Është koha për të bërë një marrëveshje. Nuk duhet të humben më jetë!”


Ndaj këtyre deklaratave të forta ka reaguar zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, i cii tha se Kremlini do të duhet të dijë se çfarë dëshiron Trump në një marrëveshje për të ndaluar luftën para se vendi të ecë përpara. Sipas tij, para së gjithash kryesore është çështja e adresimit të shkaqeve rrënjësore të krizës në Ukrainë.

Më herët presidenti amerikan Trump tha se veç Kinës, Kanadasë e Meksikës, do të përfshijë edhe Europën në listën e vendeve ndaj të cilave aplikohen tarifa importi.

“Vende të tjera abuzojnë po ashtu. Bashkimi Europian na trajton shumë shumë keq. Nuk i blenë makinat tona, prodhimet bujqësore. Kemi 350 miliardë dollarë defiçit me Bashkimin Europian. Prandaj do vendosim tarifa, një mënyrë për të vënë drejtësi.”

Mes SHBA-ve dhe BE-së ka përplasje edhe për sa i përket kompanive të rrjeteve sociale.

Tv Klan