Donald Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Kandidati republikan ka arritur të sigurojë më shumë se 270 delegatët e nevojshëm për t’u zgjedhur president në Kolegjin Zgjedhor. Numërimi i votave ende nuk ka përfunduar në shkallë kombëtare, por në shumicën e shteteve ku është në avantazh numërimi është drejt fundit dhe nuk ka më mundësi për përmbysje rezultati.

Krahas bastioneve, republikani rezulton në krye edhe në të 7 shtetet e lëkundshme, përfshirë Xhorxhian ku para 4 vitesh presidenti aktual Joe Biden fitoi me një rezultat të ngushtë. Në avantazh të dukshëm është edhe në Pensilvani ku sondazhet parashikonin se të dy do të ishin “kokë më kokë”. Sondazhet gabuan edhe me Wisconsin e Michigan, ku i jepnin fitore kandidates demokrate.

Donald Trump nuk priti gjatë pas mbylljes së qendrave të votimit në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe shpalli fitoren e vet, kur rezultatet nisën të qartësoheshin nga numërimi i votave.

“Është një fitore politike e madhe që vendi ynë nuk e ka parë kurrë. Dua të falenderoj popullin amerikan për këtë nder të jashtëzakonshëm që më zgjodhën si president të 47-të.”

Përpara qindra mbështetësve, familjarëve dhe bashkëpuntorëve të tij në një sallë të madhe në Palm Beach të Floridas, Trump përsëriti sërish premtimin e tij për t’i dhënë fund luftërave në botë.

“Unë nuk do të nis luftëra, unë do t’i ndal luftërat.”

Beson se i shpëtoi atentateve për një qëllim madhor.

“Zoti ma kurseu jetën për një qëllim dhe qëllimi ishte për të ruajtur vendin tonë e për të rikthyer madhështinë e Amerikës. Dhe këtë mision do ta përmbushim sëbashku.”

Kamala Herris shtyu fjalimin e natës së të Martës në Uashington, parashikuar në rast fitoreje por pritet të flasë përpara mbështetësve këtë të Mërkurë.

Tv Klan