“Ne kemi një marrëveshje për pengjet izraelite, ata do lirohen së shpejti.”

Ky është postimi i bërë nga ana e Presidenti amerikan të zgjedhur, Donald Trump, i cili njofton arritjen e marrëveshjes me Hamasit dhe Izraelit për lirimin e pengjeve.

Dhënia fund e luftës 15-mujore, u arrit falë negociatave të Katarit, por që Tramp me anë të një postimi në rrjetet sociale, ia atribuon ndikimit të tij dhe rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.

“Kjo marrëveshje epike e armëpushimit mund të kishte ndodhur vetëm si rezultat i fitores sonë historike në Nëntor, pasi i sinjalizoi të gjithë botës se administrata ime do të kërkonte paqe dhe do të negocionte marrëveshje për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë. Jam i emocionuar që pengjet amerikanë dhe izraelitë do të kthehen në shtëpi për t’u ribashkuar me familjet dhe të dashurit e tyre. Ky është vetëm fillimi i gjërave të mëdha që do të vijnë për Amerikën, dhe në të vërtetë, për botën!”

Më tej, Trump thekson se ekipi i tij i sigurisë kombëtare, përmes përpjekjeve të të dërguarit të posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të vazhdojë të punojë ngushtë me Izraelin dhe aleatët tanë për t’u siguruar që Gaza të mos bëhet më kurrë një strehë e sigurt terroriste, duke sjellë paqen.

Disa ditë më parë, ishte vetë Trump që paralajmëroi Hamasin se nëse nuk i liron pengjet izraelite para betimit të tij si president më 20 Janar, ferri do ta priste Lindjen e Mesme.

Menjëherë pas deklaratës së Trump ka pasur festime në Gaza. Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Katarit parashikon një armëpushim 6-javor dhe lirimin e pengjeve. Ndërsa qindra e mijëra banorë priten të rikthehen në Gaza.

Kryeministri i Katarit po zhvillon bisedimet e fundit me negociatorët e Hamasit. Ndërsa Tel Avivi konfirmoi arritjen e marrëveshjes duke bërë të ditur se pengjet mund të lirohen të dielën. Marrëveshja pritet të nënshkruhet në orët në vijim.

Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 Tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 251 pengje. Sulmi shkaktoi një ofensivë masive izraelite në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë më shumë se 46,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Izraeli thotë se 94 pengje mbahen ende nga Hamasi, prej të cilëve 34 supozohen të vdekur.

Tv Klan