Administrata e re amerikane hedh hapat e parë drejt ligjërimit të kriptomonedhave. Presidenti Donald Tramp urdhëroi grupin e punës të krijojë një rregullore të re për asetet dixhitale dhe të ngrejë një rezervë kombëtare për kriptomonedhat.
Me këtë urdhër, Tramp hedh hapat e parë drejt mbajtjes së një prej premtimeve më të bujshme gjatë fushatës elektorale për kriptomonedhat, efektet e të cilit bënë që vlera e Bitcoinit të rritej me më shumë se 50% pas fitores së tij në zgjedhjet e 5 Nëntorit.
Pjesë e urdhrit është ndalimi i krijimit të një monedhe dixhitale të Bankës Qëndrore të Shteteve të Bashkuara, që do të konkurronte fuqishëm me kriptomonedhat aktuale duke ua ulur atyre ndjeshëm vlerën.
Urdhëri garanton vazhdimin e shërbimeve bankare për kompanitë e kriptomonedhave, pasi më herët ishin hedhur dyshime se rregullatorët financiarë mund të urdhëronin ndërprerjen e shërbimeve bankare për monedhat dixhitale, çka mund t’i jepte një goditje të fortë këtij tregu.
Dyshimet ishin ngritur nga qasja e administratës së mëparshme të Xho Bajdenit që parashikonte ndalimin e kompanive ofruese të tregëtimit të kriptomonedhave si Binance e Coinbase, me argumentimin se ato mashtronin qytetarët amerikanë dhe ndihmonin në pastrimin e parave.
Tv Klan