Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Dhjetë partitë parlamentare, Aleanca Demokratike, Partia e Ballit Kombëtar, Partia e Bashkimit Liberal, PBDNJ, Partia Demokratike, Partia Demokristiane, Lëvizja e Legalitetit, Partia Republikane dhe Partia Social Demokrate, kanë hartuar sot një draft të drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për ndryshimet në kodin zgjedhor. Në tryezën e sotme mungonin përfaqësuesit e Partisë Social Demokrate, si dhe të Partisë Demokrate. Jemin Gjana në emër të Partisë Demokratike ka folur rreth rëndësisë së këtij drafti.
Jemin Gjana:- “Ne bashkërisht duhet të vazhdojmë të mblidhemi, të diskutojmë për situatat e reja që po krijohen, të përcaktojmë qartazi vullnetet tona të përbashkëta për të krijuar një infrastrukturë zgjedhjesh, e cila të krijojë shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë, dhe ndërkohë të shprehim publikisht qëndrimet tona”.
Më pas kanë marrë fjalën të gjithë përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në tryezë, të cilët kanë diskutuar dhe debatuar rreth pikave të tij. Demokristianët kanë hedhur idenë, që socialistëve t’u bëhet presion me bllokim të procesit zgjedhor, nëse nuk bëhen ndryshimet e nenit 66 të kodit zgjedhor dhe pas denoncimeve në Gjykatën Kushtetuese. Por partitë e tjera kanë vërejtur se ky është një hap i nxituar. Pas një redaktimi të vogël të draftit, partitë pjesëmarrëse kanë rënë dakord për nënshkrimin e tij./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori