Shqipëria është destinacioni tjetër i madh i pushimeve mesdhetare. Këtë e thonë jo vetëm mediat e huaja dhe pushuesit që e kanë vizituar një herë vendin tonë, por edhe agjencitë e specializuara të udhëtimeve turistike.
Sebastian Ebel, shefi ekzekutiv i “TUI”, një prej agjencive më të mëdha për udhëtimet në Europë, duke folur për median prestigjioze britanike “The Independent” e quan veten adhurues të Shqipërisë dhe tregon se vendi ynë është në axhendën e kompanisë së tij për të zhvilluar një program të rëndësishëm.
Madje ai tregon edhe për propozimin e tij të 10 viteve më parë, kur e kishte patur të pamundur të bindte bordin drejtues të kompanisë së tij për të investuar në Shqipëri.
Por tashmë ai thotë se gjërat kanë ndryshuar dhe aktualisht Shqipëria ofron mundësi të mëdha për të investuar në fushën e turizmit.
“Independent” risjell gjithashtu të kaluarën komuniste, për të treguar diferencën nga një vend që nuk e kishte aspak të zhvilluar industrinë e turizmin, në këtë që është sot, e që po njeh rritjen më të madhe të turistëve.
Në tjetër e dhënë që tregon rritjen e turizmit në Shqipëri për median britanike është edhe zgjerimin e kompanive ajrore “Rayan Air” dhe “Wizz Air” që kanë nisur të operojnë me linja direkte me qytete të rëndësishme Europiane, me çmime ekonomike.
Tv Klan