Kryeministri i vendit, Edi Rama do të vijojë në Milano të Italisë turin e tij me diasporën që do të mbahet ditën e sotme në orën 11:00.

Pallati i sportit Maria Piantanida në qytezën e Varezes, pranë Milanos është përzgjedhur për t’u mbajtur takimi i kryeministrit Edi Rama, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”. 

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama thotë se ky pallat sporti do të jetë dhe më i madh se në Athinë me shpresën që askush të mos mbetet pa gjetur vend ashtu si ndodhi në Greqi.

“Mirëmëngjes dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë.”


Takimi do të ketë dhe anën e tij të spektaklit, ku veç Noizit që do ta shoqërojë turin e kryeministrit ashtu si dhe në Athinë, do të performojë dhe Alban Skënderaj, këngëtari që një pjesë të jetës së tij e ka ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ndryshe nga Athina, është menduar dhe pjesa e fjalimeve, në arenën sportive Maria Piantanida, pjesëmarrësve do të ju drejtohet vetëm kryeministri Rama dhe nuk do të ketë eksponentë të tjerë socialistë që do të përshëndesin shqiptarët e pranishëm.

Takimet e radhës do të jenë me shqiptarët e Londrës dhe Duseldorfit, ky i fundit do të mbyllë dhe turin “Krenar për Shqipërinë”./tvklan.al