Turizmi ka sjellë gjithnjë e më shumë fluks të fluturimeve ajrore në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ku vetëm gjatë periudhës Korrik-Shtator të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave, rritja e fluksit rezulton me +32%. Referuar këtyre të dhënave gjatë 3-mujorit të të tretë u kryen mbi 21,572 fluturime ajrore, nga rreth 16 mijë fluturime të kryera në të njëjtën periudhë të 2023.

Përgjatë 3 muajve të pikut të sezonit turistik kanë udhëtuar me linja ajrore mbi 3,534,751 pasagjerë, nga 2,476,244 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit 2023, duke shënuar rritje me 42.7%.

Sipas Institutit të Statistikave, në hapësirën ajrore shqiptare përgjatë muajve Korrik-Shtator 2024 kanë fluturuar mbi 132.713 avionë, madje ka patur edhe raste që janë përpunuar mbi 200 avionë brenda 24 orëve.

Përveç qëllimeve turistike apo udhëtimeve komerciale, edhe volumi i mallrave duke përfshirë postën në hyrje dhe dalje nëpërmjet transportit ajror rezultoi me mbi 570,8 ton, nga të cilat 71,6% janë mallra në hyrje dhe 28,4% janë mallra në dalje. Krahasuar me tremujorin e tretë të 2023, volumi i mallrave rezultoi me rritje 16,4%, nënvizon INSTAT.

Edhe gjatë muajit Tetor, vetëm përmes aeroportit të Rinasit kanë hyrë në Shqipëri 47% më shumë pasagjerë se një vit më parë, ose e përkthyer në shifra, 942 mijë udhëtarë më shumë, sipas shifrave zyrtare.

Klan News