Vizitorët në sitet kulturore janë rritur me 34% për periudhën 10 mujore, Janar – Tetor, krahasur me të njejtën periudhë të vitit 2023.

Të dhënat janë bërë publike nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit  Blendi Gonxhja, i cili shkruan në një postim në rrjetet sociale, se, sitet kulturore kanë mirëpritur rreth 1 milion 230 mijë vizitorë gjatë periudhës, Janar-Tetor 2024, ku 61% e vizitorëve janë turistë të huaj.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri Gonxhja, kalaja e Gjirokastrës është më e vizituara. Gjatë periudhës 10-mujore të këtij vitit e kanë vizituar kalanë e qytetit të gurtë rreth 250 mijë vizitorë, i dyti  renditet parku Arkeologjik Butrintit me mbi 195 mijë vizitorë, në vendin e tretë siti kulturor më i vizituari shumë Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë me 160 mijë vizitorë, më pas janë Parku Arkeologjik Shkodër dhe Apollonia.

Sipas ministrit Gonxhja, rritja e numrit të vizitorëve ka sjell dhe rritje të të ardhurave me 40% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të shkuar. Nga biletat në sitet kulturore në 10 muaj janë arkëtuar më shumë se 443 milionë Lekë.

Klan News