Qeveria italiane pritet të nisë sërish në Janar, dërgimin drejt kampit të Gjadrit, të emigrantëve të shpëtuar në ujërat e Mesdheut, të cilëve u refuzohet azili nga autoritetet italiane. Mediat italiane bëjnë të ditur se këtë po planifikon kabineti i Xhorxhia Meloni që e konsideron në favor të tij vendimin e 19 Dhjetorit të Gjykatës së Lartë në Romë.

Për të diskutuar se si do të veprohet në vazhdim me dërgimin e emigrantëve të jashtëligjshëm në kampet e riatdhesimit në Shëngjin dhe Gjadër, Meloni ka thirrur sot një mbledhje urgjente qeverie, pas kthimit të saj nga një samit në Finlandë në fundjavë.

Në opinionin që Gjykata e Lartë dha javën e kaluar, thuhet se është e drejtë e qeverisë për të përcaktuar listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ndërsa gjykatësit mund të ndërhyjnë në çështje individuale në lidhje me këto lista, por jo t’i zhbëjnë ato.

Megjithatë, opozita italiane e lexon ndryshe vendimin, si në favor të Gjykatës së Romës që urdhëroi dy herë kthimin e azilkërkuesve të refuzuar të dërguar në kampin e Shqipërisë me anijen Libra, një herë para dhe një herë pas shpalljes së listës së vendeve të sigura të origjinës nga qeveria. Fjalën e fundit do e thotë Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Tv Klan