Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka reaguar në rrjete sociale pasi u fut në listën e zezë nga Departameni i Shtetit i SHBA. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Grubi thotë se vendimin e mësoi nga mediat.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, shkruajti ai.
Grubi thotë se do të angazhohet për të zbardhur plotësisht këtë çështje.
“Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”.
Arsyeja e futjes në listë të zezë ka të bëjë me përfshirjen e tij në korrupsion dhe minimin e procesit gjyqësor, raporton Klankosova.tv.