Trajneri Roberto Mancini, duket se është bërë pishman, që u largua nga drejtimi i kombëtares së Italisë.

Tekniku 60-vjeçar, u largua nga drejtimi i “axurëve” në Tetor të 2023, për të kaluar në stolin e Arabisë Saudite. Këta të fundit, e “joshën” me një kontratë fitimprurëse, por aventura aty zgjati vetëm një vit.

Mancini, tashmë i mbetur papunë, ka thënë se nuk duhej të ishte larguar nga drejtimi i Italisë.

“Nëse do të mund të kthehesha në kohë, nuk do të kisha marrë vendimin për t’u larguar nga drejtimi i Italisë. Të drejtoja atë kombëtare, ishte gjëja më e bukur. Ndoshta nuk i kemi trajtuar gjërat drejt me presidentin e Federatës Italiane, ndoshta kemi qenë në një periudhë të vështirë, ndoshta mund të kishte shkuar ndryshe, por nuk kam asgjë kundër tij”, tha Mancini për “Rai”.

Kujtojmë se Mancini fitoi Europianin me Italinë në vitin 2021, ndërsa dha dorëheqjen në Gusht të vitit 2023.

Italiani mori drejtimin e Arabisë Saudite, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2027, por aty qëndroi vetëm një vit, pasi u shkarkua për mungesë rezultatesh, me vetëm shtatë fitore në 18 ndeshje. /tvklan.al