Argita Malltezi u paraqit këtë të enjte në Prokurorinë e Posacme, në lidhje me kallëzimin e gjyqtares Irena Gjoka ndaj deklaratës së bërë nga vajza e kryetarit të PD Sali Berisha, sipas të cilës gjyqtarja është korruptuar me 500 mijë Euro.

Malltezi qëndroi për afro 30 minuta në SPAK. Ajo tha se Gjoka ka falsifikuar aktet zyrtare, ndërsa akuzoi SPAK-un për një tentativë për të larë fytyrën e gjyqtares.

“Irena Gjoka ka falsifikuar aktet zyrtare, kanë thënë kanë ndryshuar ligjin. Të gjitha kanë akte falsifikimi me pasoja të rënda. Pyetja në thelb kishte një standard të një drejtësie të kapur nga grupet kriminale. Unë pyeta a e disponon SPAK një video të tillë të një gazetari të larguar nga Shqipëria. Unë nuk e disponoj. SPAK të na sqarojë a ekziston apo nuk ekziston. SPAK ndoshta dhe nuk ka mundësi të thotë se ajo video nuk ekziston. Tentativa për të larë fytyrën e Irena Gjokës, një tentativë e dështuar”, tha Argita Malltezi.

Malltezi tha se i ishte referuar shkrimeve mediatike për akuzën e saj.

“SPAK t’i kërkojë dhe të gjejë vetë. Përsa i përket veprave të tjera të Irena Gjokës, unë kam bërë kallëzim penal, SPAK ka vendosur mbylljen e procedimit”, tha Argita Malltezi.

Më 19 Tetor 2024, ish-Kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, i ka kërkuar SPAK që të hetojë deklaratat e Argita Malltezit, e cila e akuzon gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë Euro një ish-eksponenti të PS.

Irena Gjoka është gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për Jamarbër Malltezin.

Klan News