Në të gjithë sfidat e jetës e sidomos pas thyerjes së zemrës nga dashuria, Klaudia kishte gjithnjë në krah motrën e madhe, Romanën. Ajo tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi pas fundit të lidhjes së saj disavjeçare, u prek e gjithë familja dhe Klaudia u kthye në shqetësimin kryesor. Por tani gjithçka ka mbetur pas ndaj ajo ka ftuar Romanën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan që t’i thotë se dielli në jetën e saj shkëlqen sërish.
Klaudia: Së pari, dua të të them më fal sepse në qoftë se unë jam ky personi që jam çdo ditë në ekran dhe jam mësuar me kamerat, e di që ti je e kundërta ime në çdo gjë prandaj dhe më fal, por ti je gjithçka për mua dhe doja realisht të ta lija këtë kujtim të bukur. Ti e di që bashkë kemi qenë që në fëmijëri dorë për dore, gjithmonë të pandara. Edhe kur ti ike në Korçë dhe kemi qenë shumë kohë larg njëra-tjetrës, ti ke qenë gjithmonë aty për mua si një motër, shoqe dhe një nënë e dytë.Nuk i harroj gjithë sakrificat që ke bërë për mua, që më vishje aq bukur, që kujdeseshe, m’i kapje bisht ato flokët e mia të gjata, kaçurrelë që kam pasur, nuk e harroj kurrë kur t’i merrja rrobat fshehurazi dhe gjithmonë ziheshim derisa të kam dëgjuar duke folur me Mikelin në telefon dhe të kërcënoja që do t’u tregoja prindërve. Nuk harroj kurrë asnjë lloj sakrifice që ti ke bërë për mua. Sot jam këtu për të të thënë që unë jam shumë mirë. Ti e di që unë jam vajzë që gjithmonë ia dal, gjithmonë vrapoj drejt diellit. Sot jam mes ëndrrës sime, mes njerëzve që më vlerësojnë, që i dua, por pengu im më i madh je ti. Ajo që ti ke përjetuar në momentin që unë kam mbyllur një kapitull të shkuar në jetën time, ti e ke vuajtur shumë më shumë sesa unë… por bota ime është e mbushur plot me ngjyra. Për mua gjëja më e rëndësishme që ju të jeni mirë, është primare profesioni, shkolla, ajo për të cilën mami e babi kanë punuar ditë e natë që ne të jemi dikush, pastaj zemra ime është e mbushur plot me dashuri.
E prekur, Romana shprehu sa me fat është që ka një motër si Klaudia. Ajo u pyet nga mdoeratori Ardit Gjebrea pse familja është kaq e merakosur për të dhe sqaroi se shqetësimi i të gjithëve ishte mbyllja e Klaudias në vetvete.
Romana: Më duket sikur Klaudia kur mbylli një kapitull të jetës së saj, m’u duk sikur ajo e mbylli për të gjithë, sikur ajo u mbyll shumë në vetvete dhe u tërhoq. Ky ishte i vetmi merak.
Ardit Gjebrea: Shiko, ka edhe një moment, kur ti dashuron fort, është e pamundur që ta hapësh atë kapakun menjëherë pas pak kohe, kështu që është një proces i gjatë reflektimi dhe në këtë kontekst jam me Klaudian sepse kur je thellë, nuk del dot menjëherë sepse sa më thellë zhytesh, aq më shumë kohë do që të dalësh në sipërfaqe. Nëse je në sipërfaqe gjithë kohën, atëherë mund të shohësh nga të duash, pro që e ka të vështirë që ajo të krijojë një lidhje menjëherë.
Romana: Është e vërtetë. Unë thjesht dua që ajo ta lërë atë derën hapur që të ketë mundësi të krijojë lidhje apo njohje të reja me cilindo që ajo mendon.
Klaudia: I kam hapur edhe dritaret!/tvklan.al