Tre vjet më parë Nazmiu vendosi të kthehej nga Gjermania për të bërë procesin e legalizimit të shtëpisë që kishte ndërtuar me vëllain, Agimin ku janë bashkëpronarë. Ai tregon për “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se i nisi procedurat e rregullta dhe kishte ardhur momenti për hapin e fundit për matjen e objektit.

Shtëpia ka një sipërfaqe të konsiderueshme, por dy vëllezërit nuk jetojnë bashkë në të sepse secili ka hapësirën e tij. Kur Nazmiu ishte larguar, Agimi kishte lënë në pronën e tij Zyben, motrën e tyre pa e pyetur më parë vëllain.

Kur Nazmiu u gjend në derën e shtëpisë së tij që banohej nga Zybja, pati një përplasje mes nipit të tij e inxhinierit. Më pas, ai mësoi çfarë kishte ndodhur vërtet me pronën.

Nazmi: Mungonte një kartelë që do të bëhej matje faktike e objektit dhe mbyllej procesi i legalizimit.

Eni Çobani: Nisesh ti me inxhinerin.

Nazmi: Shkojmë atje…

Eni Çobani: Troket në derë.

Nazmi: Trokitëm në derë, doli motra, bëri ato procedurat inxhinieri, në kohën që po bënte matjet, vjen djali i saj, ia kapi metrin inxhinierit, ia hodhi, aty ndodhi thyerja. Çfarë ndodhi? Inxhinieri u largua, unë shkova në polici. Policia nuk më ndihmoi, më justifikohej me ca gjëra, kur isha unë duke ikur me makinë, merr në telefon dhe më thotë “mos e shqetësoni atë familje”.

Ardit Gjebrea: Kush? Policia?

Nazmi: Po, “mos e shqetësoni atë familje herë tjetër”.

Agim: Unë nuk i di këto gjëra.

Nazmi: Të kam marrë në telefon direkt, aty dilte ime motër me akt dhurimi nga babai.

Agim: Po babai s’e ka bërë atë mo Nazmi! Babai ka shtëpitë e veta!

Nazmi: Ore po të them dilte me akt dhurimi nga babai!

Ardit Gjebrea: Kjo shtëpi që e ndërtuat ju?

Nazmi: I është dhënë Zybes, motrës sime!

Eni Çobani shpjegon se duke qenë se shtëpia u ndërtua kur Nazmiu ishte ende beqar, babai ka presupozuar që kjo banesë është bërë gjatë kohës kur ai ishte në trungun familjar. Si rrjedhojë, është konsideruar si kontribut i përbashkët dhe babai ia ka dhuruar Zybes pjesën e Nazmiut ndërsa djalit të vogël, pjesën e Agimit./tvklan.al