Lajme Arkiva 2003

Uji i pijshëm i Bovillës mbetet ende një kërcënim për banorët e kryeqytetit për aq kohë sa edhe problemet me ujëmbledhësi nuk janë zgjidhur.

80 metra mbi nivelin e ujësjellësit të Bovillës duhet të ishte kryer rrethimi i brezit sanitar. Megjithëse ka kaluar një vit që nga marrja e këtij vendimi, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk e ka bërë këtë rrethim. Jo vetëm kaq por edhe 40 familje janë në pritje të marrjes së vendimit, për shpërnguljen e tyre.

Mos rrethimi i basenit dhe shpërngulja e 40 familjeve që jetojnë brenda zonës së caktuar si brezi sanitar, përbëjnë rrezik të vazhdueshëm. E vetmja mundësi jetese në këto anë tërësisht të vafëra është blegtoria. Banorët thonë se me to dhe pranë liqenit është e lidhur krejt jeta e tyre ku nuk mungojnë të tregojnë histori me kafshë të ngordhura dhe sëmundje që janë hedhur në liqen.

Banor: Një kushëriri i kishte lidhur gomarin këtu te bregu i lumit. Gomarit i ra plasja. Pasi u lajmërua ministria e Rendit që të lajmëronte ministrinë e shëndetësisë që të vinte të bënte ekspertizën e gomarit që të mos hapet ndonjë sëmundje në shtëpitë e tiranasve,  këtu nuk erdhi askurrkush. Ne e groposëm gomarin, por qentë e nxorën dhe e hodhën në ujë. Ne kërkojmë që të vijnë e të bëjnë diçka për këto familje ku detyrimisht shikojmë çdo ditë mbeturina pasi edhe gjendja është e mjerueshme. Ne detyrimisht këtu nuk merremi me bujqësi, pasi vetëm me kuaj dhe me gomer e punojmë tokën, sepse këtu nuk hyn as mjeti. Ne merremi vetëm me blektori ku detyrimisht edhe blegtoria pi ujë këtu. Arsyeja kryesore që na ngacmon ne është kjo se kur qeveria Majko erdhi dhe tha se do të shpërngulen familjet e brezit sanitar ne tani duam që këtu të ndërtojmë shtëpia të reja, pasi njëri ndahet, njëri martohet. Duam të shtojmë blektorinë. Nuk duam ta dimë ka apo nuk ka shpërngulje.

Banorët pohojnë se prej një viti kur nisën edhe problemet me ujin e pijshëm që del nga Bovilla nisën edhe problemet për ta. Një skaf i policisë që patrullon ujëmbledhësin i  ndalon banorët të afrojnë bagëtitë pranë bregut.

Banor: Policia mundohet të bëjë punën e vetë, por përderisa ne jetojmë këtu pranë bregut. Policia s’ka çfarë të bëjë. Ne s’kemi ku të shkojmë. Bagëtitë këtu do ti kullosim, këtu do ti japim ujë, e ç5do mbeturinë që ka një shtëpi këtu do e hedhim. Përderisa jetojmë këtu në breg të ujit detyrimisht s’kemi si të manovrojmë edhe po të duam.

Banore: Përherë këtu jemi ne s’kemi ku shkojmë, se kemi shtëpinë këtu. Uji për të larë  për të shpëlarë ky është. Ne veç këtu vijmë.

Gazetarja: Ndërkohë policia nuk ju lejon ti mbani bagëtitë afër liqenit?

Banor: Policia ka mendimet e veta, por ku ti çoj unë. Ku të shkoj unë. Ku do ta çoj unë bagëtinë po se solla këtu. A rijnë pa ujë këto? Ngordhin.

Gazetarja: Ka pasur raste që ju ka ngordhur ndonjë bagëti dhe e keni hedhur në liqen?

Banor: Në liqen nuk e kemi hedhur po kjo ngordh këtu, ku do ta çoj unë se bëj dot gropën 3 metra. Këtu do të rri, s’ka ku të shkoj.

Të 40 familjet që i përkasin 3 lagjeve në Bovillë, Hidja, Zalldesh dhe Isak janë autoktone të zonës. Në rrugë administrative këto familje varen nga Bashkia e Krujës. Grupi i punës me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rregullim Territorit dhe mjedisit si dhe të Ministrisë së Shëndetësisë i identifikoi këto familje që një vit më parë për ti shpërngulur, por procedurat kanë mbetur në letër tre vendime komisionesh kërkojnë largimin e menjëhershëm të  familjeve prej këndej, pasi nëpërmjet Bovillës furnizohet me ujë të pijshëm rreth 80% e kryeqytetit.

Për këtë qëllim  është parë edhe një mundësi tjetër, rregullimi i infrastrukturës së kësaj zone përfshirë edhe kanalizimet e ujërave të zeza te familjet, por kjo përpjekje është hedhur poshtë nga grupi i punës të cilët shohin si më të arsyeshme largimin e familjeve, pasi ndotja më e vogël e ujit vë në rrezik jetën e banorëve në metropolin shqiptarë./tvklan.al