Pas lejes së Joe Biden, ukrainasit sulmuan për të parën herë territorin rus me raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi.

Agjencitë ruse të lajmeve bëjnë të ditur se sistemi anti-ajror rus rrëzoi rreth orës 03:25 të mëngjesit të 5 raketat amerikane të hedhura nga ukrainasit, që ranë në territorin e një objekti ushtarak në Briansk, rajonin rus në kufi me Ukrainën. Sulmi nuk shkaktoi viktima apo të lënduar. Artileria amerikane me rreze të gjatë veprimi mund të godasë objektiva deri në 300 kilometra larg.

Në kundërpërgjigje të lejes që amerikanët u dhanë ukrainasve, Kremlini njoftoi ndryshimin e doktrinës bërthamore. Vladimir Putin i dha leje ushtrisë ruse të përdorë armë bërthamore për t’iu kundërpërgjigjur çdo sulmi me apo pa armë bërthamore që i bëhet territorit të Rusisë dhe Bjellorusisë. Vendet bërthamore që ndihmojnë ato jo-bërthamore për të sulmuar Rusinë do të konsiderohen si bashkëpunëtore dhe do të marrin të njëjtën përgjigje, sqaroi zëdhënësi Dimitri Peskov.

Ndërkaq, aleatët perëndimorë janë të ndarë, nëse duhet të ndjekin shembullin amerikan. Berlini refuzon t’ia japë të njëjtën leje për armët e tij, ndërsa Parisi dhe Londra që e ka dhënë më herët, përshëndetën vendimin e Bidenit.

Tv Klan