Këtë ditë të parë të 2025-ës, Ukraina mbylli një herë e mirë rubinetat e tubacioneve që transportonin prej më shumë se 3 dekadash, gazin rus drejt Europës, pas skadimit të kontratës së fundit 5-vjeçare.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski paralajmëroi më herët se nuk do të lejonte Rusinë të fitonte miliarda, teksa derdh gjakun e ukrainasve në luftën e nisur gati 3 vite më parë.

Austria dhe Sllovakia janë dy vendet e fundit që furnizoheshin ende përmes këtyre tubacioneve, por ato do të importojnë gazin nga vende të tjera të unionit që e marrin nga Shtetet e Bashkuara që po plotësojnë boshkllëkun që po le Rusia. 

Për Sllovakinë që ishte vendi i parë i unionit që përshkonin tubacionet ukrainase, ndërprerja do të thotë të paktën 2-fishim kostosh të importit.

Ndaj dhe kryeministri sllovak Robert Fico i shquar si mik i Vladimir Putinit tha se do të ndërpresë eksportin e energjisë drejt Ukrainës, një veprim që për Volodimir Zelenskin i shërben interesave të Rusisë.

Humbjet e Ukrainës nga mbyllja e tranzitit arrijnë në gati 1 miliardë dollarë, ndërsa për Gazpromin rus në 5 miliardë.

Një tjetër tubacion i gazit rus nga i cili furnizohen Hungaria dhe Serbia është Turkstream 1 që kalon përmes Turqisë.

Tv Klan