Banorët e Moskës përjetuan orë lufte natën e kaluar, pas atij që mund të konsiderohet si sulmi më i madh me dronë ukrainas ndaj Rusisë që prej nisjes së luftës ruse në Ukrainë. Tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, ndërsa dëme të shumta u shkaktuan nëpër lagjet e banimit përreth kryeqytetit rus.
Dronët e përdorur nga Ukraina ishin të shumtë. Autoritete ruse thanë se kishin rrëzuar 337 dronë në total në gjithë territorin rus, përfshirë 91 në Moskë dhe 126 mbi rajonin e Kurskut ku trupat tokësorë ukrainas janë duke u tërhequr, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Sulmi detyroi autoritetet të pezullojnë punën e disa linjave të trenave dhe fluturimet në dy aeroporte të Moskës.
Kievi e konsideroi sulmin si nxitje për Vladimir Putinin për të pranuar paqen. Sulmi ndodhi vetëm pak orë para se delegacioni ukrainas të niste në Xhedah të Arabisë Saudite takimin me palën amerikane të kryesuar nga sekretari i shtetit Marko Rubio. Kryediplomati amerikan tha më herët se në këtë takim synon të dëgjojë sa më shumë nga kërkesat e ukrainasve për paqe me Rusinë.
Tv Klan