Ukraina sulmon me të paktën 91 dronë kryeqytetin rus, Moskën. 2 persona mbetën të vrarë dhe të paktën 8 u plagosën, duke përfshirë një fëmijë, në rajonin e Moskës si rezultat i sulmit.

Dronët shkaktuan mbylljen e përkohshme të aeroporteve kryesore, shërbimeve hekurudhore dhe transportit rrugor.

74 dronë u rrëzuan pranë Moskës, pretenduan autoritetet, duke shënuar sulmin më të madh me dronë kundër kryeqytetit rus që nga nisja e luftës 3 vite më parë. Në një postim në mediat sociale, guvernatori Vorobyev publikoi dëmet në apartamente dhe automjete të djegura në rajonin e Moskës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se forcat e saj kishin kapur një sulm masiv prej 337 dronësh ukrainas nëpër rajone të shumta, duke përfshirë 91 mbi rajonin e Moskës, 126 mbi rajonin e Kurskut, 38 mbi rajonin e Bryansk dhe të tjerë mbi rajonet Belgorod,etj.

Ndërkaq zyrtarët ukrainas raportuan nga ana tjetër sulme me dronë rusë në kryeqytetin Kiev dhe disa rajone të tjera, ku gjashtë persona u plagosën dhe një mbeti i vrarë , ndërsa dronët shkaktuan dëme të shumta në infrastrukturë. Gjatë sulmit, Rusia përdori një raketë balistike Iskander dhe 126 dronë, ku 79 prej  tyre u rrëzuan.

Klan News