Ukraina nisi gjatë fundjavës një nga sulmet e saj më të mëdha me dron ndaj Rusisë. Sulmet janë përqendruar ndaj rafinerive dhe termocentraleve.
Video të ndryshme kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, të cilat tregojnë përmasat e sulmit, kryesisht në Moskë dhe rajonin fqinj Tver.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar publikisht përmasat e këtij sulmi nga Ukraina, por nënvlerësoi efektin e tij. Autoritete ruse bënë të ditur për mediat e huaja se rreth 158 mjete ajrore pa pilot (UAV) u kapën nga mbrojtja ajrore gjatë natës në 15 rajone të Rusisë.
Sulmet ukrainase vijnë pas një sërë sulmesh të tjera të bëra gjatë javës. Kur të enjten e kaluar si pasojë e sulmeve ajrore u përfshinë nga flakët disa rezervuarë të naftës në një rafineri në rajonin e Rostovit.
Presidenti i Ukrainës Volodymur Zelensky është shprehur me anë të një postimi në rrjetin tij social “X” se sulmet më të fundit me dronë në Rusi ishte kundërpërgjigje e sulmeve të përsëritura të Moskës.
“Rusia po terrorizon edhe një herë Kharkivin, duke goditur infrastrukturën civile dhe vetë qytetin. Është plotësisht e justifikuar që ukrainasit t’i përgjigjen terrorit rus me çdo mjet të nevojshëm për ta ndaluar atë,” ka shkruar Zelensky.
Sipas autoriteteve lokale ukrainase të paktën 41 persona mbetën të plagosur si pasojë e një sulmi ajror nga Rusia.
Ndërkaq që nga pushtimi i saj Rusia vazhdimisht ka shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës./tvklan.al