Një sulm i paprecedent me dronë është kryer në centralin bërthamor të Zaporizhias, një akt që tregon edhe një herë se sa të rrezikshme e ka bërë lufta ruse në Ukrainë, situatën në atë që konsiderohet si centrali më i madh bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike në Europë.
Nga sulmi u plagosën 3 punonjës të centralit, ndërsa shkaktoi dëme pranë ndërtesës ku ndodhet reaktori numër 6. Rusia që ka nën kontroll centralin, që prej nisjes së luftës në 2022, akuzoi Ukrainën si autore të sulmit. Zyrtarët e Kievit, deri më tani nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me këtë ngjarje.
Ndërsa zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamorë IAEA u bënë thirrje palëve të shmangin përfshirjen e këtij centrali në konfliktin mes tyre, pasi një shpërthim bërthamor atje mund të ketë pasoja të rënda për gjithë kontinentin, me një numër të jashtëzakonshëm viktimash.
Agjencia konfirmoi se sulmi ndodhi në momentin kur një ekip i saj, po kryente një kontroll periodik në ambientet e brendshme të centralit të Zaporizhias.
Tv Klan