Lajme Arkiva 2003

Universitetet shqiptare këtë vit akademik janë të papërgatitura të presin kuotat shtesë të dhëna nga qeveria. Sipas rektorit të universitetit të Tiranës zotit Shezai Rrokaj , përpara se të merrej vendimi mbi këto shtesa duhen plotësuar disa kushte.

Shezai Rrokaj: Po ndodh dy tre vitet e fundit, kemi një rritje rreth 60% të pranimeve, ndërkohë që strukturat e stafeve kanë mbetur po ato dhe të ardhurat që ne i kemi sivjet janë të pamjaftueshme për të paguar stafin, për t’ju përgjigjur infrastrukturës, për të blerë më shumë banka dhe karrige, për të bërë më shumë meremetime të auditorëve.

Autonomia financiare e universiteteve është një tjetër kusht që duhet plotësuar sipas zotit Rrokaj. Kërkesat për rritjen e numrit të pedagogëve në universitete e përkrah edhe rektori i fakultetit të ekonomisë, zoti Dhori Kule.

Dhori Kule: Duhen shtuar kapacitetet e pranimit në shkollat e larta. Jemi shumë larg shifrave dhe standardeve evropiane dhe nuk është problem vetëm i godinave. E kemi më të zgjidhur problemin e godinave, problemi është që duhet të merremi me mbështetjen e stafeve akademike. Shkolla pa pedagog nuk është shkollë.

Ndërkaq sot ka qenë dita e shpalljes së rezultateve të konkursit në fakultetin e ekonomisë, të cilat patën kontestime./tvklan.al