Rektorati i Universitetit të Tiranës ka marrë vendimin që provimet e semestrit të parë të zhvillohen online. Megjithatë në shkresën e firmosur nga rektori Artan Hoxha, thuhet se për ato provime që nuk mund të zhvillohen online për shkak të specifikës së lëndës, me kërkesë së titullarit të lëndës dhe me miratim paraprak të përgjegjësit të njësisë bazë do të zhvillohen në auditor. Megjithatë kjo do të ndodhë vetëm pas marrjes së miratimit përfundimtar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Në rast se Komiteti nuk miraton kërkesat e zhvillimit të provimeve në auditor, titullarët e lëndëve duhet të shohin mundësi alternative të përmbylljes së provimeve këtë semestër.
“Në pamundësi të realizimit të këtyre provimeve brenda këtij semestri si dhe për ata studentë që kanë pamundësi të pjesëmarrjes në këtë semestër do të përcaktohet një periudhë e mëvonshme e zhvillimit të tyre brenda muajit Qershor”, thuhet në shkresën e rektoratit.
Ndërkohë ditën e sotme, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha se po diskutohet me Ministrinë e Arsimit për të kthyer studentët në auditorë për sezonin e provimeve. Ajo u shpreh se brenda kësaj jave do të dilet me një vendim./tvklan.al