Zgjedhja e degës së studimit në universitet është konfuzuese si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit. Të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dyzohen mes pasioneve dhe dëshirës për të bërë karrierë, arritur sukses dhe të ardhurave të mira.
Prindërit gjithnjë dëshirojnë që fëmijët të kenë një profesion që do t’u sigurojë sa më shumë të mira që jo domosdoshmërisht pala tjetër i përqafon apo anasjelltas.
Sipërmarrësja Arba Gramo ndau me të rinjtë eksperiencën e saj si nënë e tre fëmijëve. Ajo tregon se i ka udhëzuar fëmijët, por në fund vendimi u ka mbetur atyre. Sa u përket pasioneve, vajza e saj dëshironte të bëhej aktore dhe u gjet një mënyrë që ajo ta ‘testonte’ profesionin për të vendosur nëse do të vijonte më tej.
Arba Gramo: Në familjen time, të tre fëmijët, në fakt dy fëmijët kanë zgjedhur drejtimin.
Ardit Gjebrea: E kanë zgjedhur vetë apo e ke sugjeruar ti?
Arba Gramo: Ka pasur diskutime midis dy palëve, nuk ka qenë një vendim as i imi, as i fëmijës përkatës, kështu që mendoj që vetëm kështu mendoj që mund të shkohet.
Ardit Gjebrea: I kujt?
Arba Gramo: Në fund fare, vendimi ka qenë i fëmijës, patjetër,absolutisht. Unë nuk mendoj që është absolutisht as e shëndetshme dhe as e suksesshme nëse flasim për sukses që fëmijët të detyrohen të studiojnë një degë, të marrin një rrugë e cila nuk i pëlqen. Vajza e madhe për shembull ka dashur që e vogël të bëhej aktore, por jo aktore se të gjithë kemi thënë, të paktën ne në moshën time donim që të bëheshim këngëtarë, aktorë, këto gjërat i kishim qejf të gjithë dhe mbase është një dëshirë e të gjithë fëmijëve dderi në njëfarë pike por Krista këmbënguli shumë gjatë te kjo dhe e vetmja mënyrë si ne menduam që ta zgjidhnim ishte që Krista në fakt të shkonte në një shkollë aktrimi, një shkollë verore aktrimi dhe të kuptonte nëse aktrimi ishte ai profesion ose ishte vërtet ashtu siç ajo e mendonte që ishte.
Ardit Gjebrea: Super zgjidhje!
Arba Gramo: Shkoi dhe tha që “jo, e mendoja ndryshe”, akoma dhe sot e kësaj dite e ka dëshirë, por nuk e zgjodhi absolutisht për rrugën e saj primare dhe studioi diçka tjetër./tvklan.al