Fauci: Është e mundshme, por vaksinimi masiv nga mesi i vitit 2021

Nëse bota do të ketë së shpejti një vaksinë të efektshme kundër koronavirusit, përgjigjen e jep kryevirologu amerikan Anthony Fauci.

“Ne do ta marrim vesh nëse do të kemi vaksina të sigurta dhe efektive nga fundi i Nëntorit ose fillimi i Dhjetorit”, tha ai.

Në një intervistë për televizionin publik britanik BBC, Fauci sqaron se nëse çdo gjë shkon sipas planit, vaksinimi masiv në Shtetet e Bashkuara mund të nisë diku rreth mesit të vitit të ardhshëm.

“Dozat që do të jenë në dispozicion në Dhjetor nuk do të jenë të mjaftueshme për të gjithë. Duhet të presim për disa muaj në 2021-shin”, tha Fauci.

Aktualisht janë me dhjetëra firma farmaceutike që ndodhen në fazën përfundimtare të testimit tek njerëzit të vaksinave të tyre. Shumica e tyre janë në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë.

Por firma britanike Astra Zeneca tha se vaksina e saj inovative ka dhënë rezultatet e pritshme në fazën përfundimtare dhe së shpejti mund të nisë prodhimin.

Rusia nxorri e para një vaksinë, që nuk është e certifikuar nga OBSH, por që pritet të nisë injektimin sipas parashikimeve të autoriteteve në fillim të Nëntorit.

Tv Klan