Të paktën 30 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore izraelite në qytetin verior të Gazës, Xhabalia dhe mbi 220 të tjerë janë plagosur gjatë natës së kaluar. Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se shumë njerëz janë njerëz janë bllokuar nën rrënoja dhe bilanci mund të jetë edhe më tragjik. Shënjestër e sulmit ishte edhe një kamp që shërbente si strehë për njerëzit e zhvendosur nga konflikti. Ushtria izraelite pretendon se ka vrarë dhjetëra militantë të Hamasit, por pa dhënë ndonjë provë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza vlerëson se mbi 42 mijë njerëz janë vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar dhe mbi 98 mijë të tjerë të plagosur.
Vala e sulmeve izraelite vijon edhe ndaj jugut të Libanit ku vijojnë luftimet me Hezbollahun. 20 viktima janë regjistruar në 20 orët e fundit. Në krahun tjetër edhe organizata e mbështetur nga Irani tha se kishte goditur një bazë të ushtrisë izraelite pranë qytetit Haifa, por Tel Avivi i hodhi poshtë pretendimet.
Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe shumë shtete europiane kanë dënuar sulmet izraelite ndaj njerëzve të pafajshëm dhe organizatave ndërkombëtare. Të premten, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit pranuan sulmin ndaj një baze të Kombeve të Bashkuara në Liban ku u plagosën 2 persona. Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Francës dhe Italisë që i kërkuan Izraelit të ndalë ofensivën.
Tv Klan