Federata Shqiptare e Mundjes e quan të padrejtë humbjen e sfidës çerekfinale të mundësit të Shqipërisë, Shermen Valijev ndaj atij të Uzbekistanit, Zhamalov.
Vendimet e dhëna në sekondat e fundit të duelit të peshës deri 74 kilogramë në stilin e lirë ndikuan në rezultatin përfundimtar, sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Mundjes. Ata konfirmuan për Tv Klan se janë ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, megjithëse shpresat për një ndryshim të rezultatit janë të pakta.
Sipas padisë, mundësit të Shqipërisë iu mohua padrejtësisht mundësia për të vijuar garën për medaljen e artë. 25-vjeçari e humbi sfidën me Uzbekun me rezultatin e ngushtë 6-5 pas një ndeshjeje tërësisht të dominuar prej tij.
Shermen Valijev u përfshi sërish më pas në garë pasi Zhamalov shkoi deri në finale. Në fund, Valiev arriti të marrë medaljen e bronzit. Edhe mundësi tjetër i Shqipërisë, Islam Dudajev mori bronz, por në peshën deri 65 kilogramë në stilin e lirë. Këto ishin medaljet e para për vendin tonë në Lojërat Olimpike.
Tv Klan